REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 27.04.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, ka vizituar të enjten 26 prill 2018 Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Rijekës, Kroaci. Në cilësinë edhe të Profesorit në Universitetin e Tiranës, shoqëruar edhe nga Z. Erjon Hitaj, udhëheqës i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Vlorës në Shqipëri, Z. Zaganjori mbajti një leksion në fushën e së Drejtës së Krahasuar me temë: “Shqipëria dhe rruga e saj drejt Bashkimit Evropian – Aspektet Politike dhe Ligjore”. Ndërsa Z. Hitaj mbajti leksionin me temë: “Siguria globale: implikimet sipas ligjit ndërkombëtar”.

Në këtë vizitë ata u pritën nga përfaqësuesit e Fakultetit të Drejtësisë në Rijeka, Prof. Dr. Vesna Crnić-Grotić, Zv. Dekan për Hulumtimin Prof. Asoc. Dr. Ivana Kunda, koordinatorja e Erasmus + Sandra Winkler si dhe studentë të këtij fakulteti.

Gjatë fjalës së tij përpara studentëve Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, vendosi theksin tek hapat që po kalon Shqipëria në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe ndjenjat pro perëndimore të popullit shqiptar, i cili e sheh këtë proces si një perspektivë të shkëlqyer për vendin. Shqipëria ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim dhe falë optimizmit, ajo do të arrijë të përmbush standardet e kërkuara në të gjitha fushat kryesore të funksionimit të shtetit. Ai i njohu studentët me ecurinë e procesit të reformës në drejtësi, ndryshimet Kushtetuese e ligjore të ndodhura së fundi, implementimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm për vendin si dhe problematikat me të cilat po përballet sot Gjykata e Lartë si dhe i gjithë sistemi i gjyqësorit, të cilat lidhen kryesisht me zbatimin e reformës në drejtësi.

Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e Fakultetit të Drejtësisë, i cili u bë i mundur falë mbështetjes së fondacionit gjerman Hanns Siedel, të dyja palët shprehën interesin e tyre të përbashkët në vendosjen e kontakteve në nivel universitar, për një bashkëpunim në të ardhmen, mes departamenteve të drejtësisë së Universitetit të Vlorës dhe atij të Rijekës.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte