REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 17.03.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, ka marrë pjesë në zhvillimet e punimeve të Forumit të IV Rajonal mbi Shtetin e së Drejtës, i cili organizohet në datat 17-18 mars 2017 në Shqipëri. Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Këshillit të Evropës, Aire Center dhe Civil Right Defenders dhe në të marrin pjesë kryetarë dhe anëtarë të Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave të Larta të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë e Bosnje-Hercegovina, si dhe gjyqtarët respektivë të këtyre shteteve në Gjykatën Evropianë të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Në fokus të Forumit të IV Rajonal është trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe lidhja e kësaj të drejte me procesin e rregullt ligjor dhe jetën private.

Në emër të Kryetarit të Gjykatës Evropianë të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, z. Guido Raimondi, forumin e përshëndeti gjyqtari shqiptar në këtë gjykatë Z. Ledi Bianku.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, i cili mbajti fjalën në seancën plenare të ditës së parë, theksoi dhe vlerësoi rolin dhe kontributin e çmuar që ka Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në garantimin e parimeve të demokracisë dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.

Z. Zaganjori foli ndër të tjera për rëndësinë primare që ka Konventa Evropiane e Drejtave të Njeriut si dhe rolin që luan GjEDNJ si interpretuese e saj duke marrë rolin e një gjykate kushtetuese, vendimet e së cilës janë të zbatueshme nga të gjithë shtetet nënshkruese të kësaj konvente. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është dhe forcimi i dialogut ndërmjet GJEDNJ-së dhe gjykatave të shteteve, i cili do të kontribuojë në rritjen e stabilitetit juridik, ekonomik dhe paqes sociale, nxitjen e forcimit të shtetit ligjor si dhe të kontrollit gjyqësor të ligjeve dhe akteve normative.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte