REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 30.05.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka marrë pjesë në Konferencën e IX Vjetore të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila zhvilloi punimet këtë vit në Bratislava, Sllovaki në datat 27-28 Maj 2019. Konferenca u organizua me mbështetjen e Gjykatës së Lartë të Sllovakisë dhe Institutit CEELI Iniciativa Ligjore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropën Qendrore dhe Lindore. Rrethi i Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore përfshin 26 vende anëtare.

Në ditën e parë konferenca u përshëndet nga Kryetarja e Gjykatës Supreme të Sllovakisë, Znj. Daniela Švecová. Më pas konferencën e përshëndetën edhe Z. Gábor Gál, Ministër i Drejtësisë, Z. Christopher Lehmann, Drejtori Ekzekutiv i CEELI Institute, si dhe gjyqtarët amerikanë John Walker dhe Clifford Wallace.

Punimet e kësaj konference, iu kushtuan disa çështjeve kryesore si; nxitja e perceptimeve të favorshme publike të përcjella nga gjykatat në kohën e një mjedisi të krijuar mediatik; roli i Gjykatave Supreme në Unifikimin e Praktikës Gjyqësore; roli i gjykatave në promovimin e të drejtave të njeriut, etj.. Gjithashtu vëmendje e veçantë iu kushtua edhe marrëdhënieve ndërmjet gjyqësorit dhe pushteteve të tjera si dhe problematikave aktuale që kanë të bëjnë me pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, në sesionin me temë; “Roli i Gjykatave të Larta në Unifikimin e Praktikës Gjyqësore”, si raportuesi i parë mbi këtë temë, paraqiti përpara konferencës materialin në të cilin evidentoi ndër të tjera rëndësinë që ka për të gjitha Gjykatat e Larta unifikimi i praktikës gjyqësore si në sistemin kontinental edhe në atë common law. Kjo pasi unifikimi i praktikës gjyqësore lidhet ngushtë me parimin e drejtësisë, parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike si elementët esencialë të procesit të rregullt gjyqësor. Në këtë aspekt, Z. Zaganjori vuri në dukje mënyrën se si funksionon ky proces brenda dy sistemeve kryesore duke vënë theksin si në ndryshimet ashtu edhe në ngjashmëritë mes vendeve të ndryshme. Me këtë rast ai përmendi se këto ndryshime janë zvogëluar si pasojë e ndikimit që kanë patur proceset integruese e globalizuese; zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, etj.. Në këtë kuadër, Kryetari i Gjykatës së Lartë vuri në pah edhe rolin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, pasi vendimet e tyre luajnë një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës, krijimin e një shoqërie të hapur dhe demokratike, kontrollin kushtetues të legjislacionit, etj..

Në vijim të këtij raporti Z. Zaganjori u ndal edhe në rastin e Shqipërisë ku evidentoi arritjet dhe problemet kryesore me të cilat është përballur Gjykata e Lartë sa i përket Unifikimit të praktikës gjyqësore. Ai theksoi se ndryshimet e reja kushtetuese e ligjore krijojnë mundësi për rritjen e efikasitetit të Gjykatës së Lartë në përqëndrimin e saj kryesisht në unifikimin dhe zhvillimin e kësaj praktike nga çdo kolegj respektiv, si dhe mundësinë e ndryshimit të saj nëpërmjet vendimarrjes së Kolegjeve të Bashkuara.

Gjatë zhvillimit të seancave të konferencës, Z. Zaganjori u ndal edhe në trajtimin e disa prej temave kryesore si; raporti i gjykatave me median, transparenca dhe besimi i publikut, roli i Gjykatave të Larta në promovimin e të drejtave të njeriut, etj..

Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Lartë, ka nisur si iniciativë e Institutit CEELI me seli në Pragë dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara Z. John Roberts në vitin 2011. Duke parë interesimin dhe përfitimin prej saj, kryetarët e Gjykatave të Larta të 26 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, vendosën unanimisht që kjo konferencë të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte