REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 19.12.2016

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore për Diplomaci Kulturore, zhvilluar në Berlin (Gjermani) në datat 15-18 dhjetor 2016, organizuar nga ICD ( Instituti për Diplomaci Kulturore).

Në konferencën me temë: “Promovimi i të Drejtave të Njeriut nëpërmjet dialogut kulturor” Z. Zaganjori, njëkohësisht anëtar i Bordit Drejtues të ICD, i’u drejtua pjesëmarrësve me fjalimin e tij titulluar: “Drejtësia kushtetuese, politika dhe të drejtat e njeriut”.

Z. Zaganjori në fjalën e tij u ndal gjatë në çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë kushtetuese, debatet lidhur me rishikimin gjyqësor të ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike, jo vetëm bazuar në parimin check and balance por edhe atë të luajalitetit kushtetues. Ai evidentoi rolin parësor të Gjykatës Kushtetuese në promovimin e të drejtave të njeriut, dhe kontributin që jep Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në standardizimin e këtyre të drejtave. Këto vendime janë të rëndësishme jo vetëm për zgjidhjen e çështjeve konkrete, por edhe në përcaktimin e standardeve bashkëkohore ne fushën e të Drejtave të Njeriut nga të gjithë operatorët e sistemit të drejtësisë, në përputhje me dinamikën dhe kërkesat e kohës.

Sipas Z. Zaganjori gjyqtarët janë të prirur të zbatojnë standardet e GJEDNJ-së, duke dhënë kontributin dhe ndihmën e tyre në afirmimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Ky proces duhet të jetë i përditshëm në punën e tyre, duke iu referuar në këtë kuadër jo vetëm standardeve të GJEDNJ-së, por edhe gjykatave të tjera të shteteve me demokraci të konsoliduar si Gjermania, SHBA, Angli, etj.

Konferenca Vjetore për Diplomaci Kulturore është një aktivitet botëror në fushën e diplomacisë kulturore, e cila organizohet nga ICD dhe ku marrin pjesë institucione lider ndërkombëtare, si dhe kryetarë gjykatash Kushtetuese e të Larta, ish-kryeministra, ministra e deputetë nga të gjitha vendet e botës.

  fotoxhz

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte