REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 31.10.2016

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Kontrolli incidental si mekanizëm kushtetues në sigurimin e kushtetutshmërisë së ligjeve në vendet në tranzicion”, organizuar me rastin e kremtimit të Vitit të Shtatë Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prishtinë, më 27 tetor 2016.

Në fjalën e tij mbajtur me këtë rast, me temë: “ “Kontrolli incidental si mekanizëm kushtetues për të garantuar kushtetuetshmërinë e ligjeve. Rasti i Shqipërisë krahasuar me forma të tjera të kontrollit incidental”, Z. Zaganjori prezantoi mekanizmin e kontrollit incidental dhe aplikimin e tij në Shqipëri, duke theksuar se ky mekanizëm ka një rëndësi të veçantë, për shkak se nëpërmjet tij gjyqtarët sigurojnë pajtueshmërinë e ligjit me dispozitat kushtetuese. Aplikimi i këtij mekanizmi juridik pa dyshim kontribuon në mënyrë pozitive në formimin demokratik dhe në rritjen kulturore e profesionale të sistemit gjyqësor, duke e bërë më të ndërgjegjshëm për misionin e tij në shtetin e së drejtës, duke forcuar njëkohësisht pavarësinë e tij në raport me pushtetet e tjera.

Sipas Kryetarit të Gjykatës së Lartë, roli i atribuuar gjyqtarit të zakonshëm për të investuar Gjykatën Kushtetuese në një kontroll incidental sjell si pasojë që gjyqtari në mënyrë konkrete të ketë akses të drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushteteuse dhe të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me vlerat kushtetuese, duke favorizuar kështu përvetësimin dhe depërtimin e tyre në jurisprudencën e zakonshme si dhe në jetën publike, sociale dhe ekonomike të shoqërisë.

Si pasojë e këtij ndërgjegjësimi, edhe gjykatat shqiptare, në veçanti Gjykata e Lartë, kanë filluar të luajnë një rol aktiv në përdorimin e mekanizimit të kontrollit incidental, ku vlen të përmendet se janë në total rreth 90 kërkesa drejtuar për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Në prezantimin e tij Z. Zaganjori, shtjelloi dhe mekanizmat paralelë me kontrollin incidental që aplikohen nga GJEDNJ dhe GJED, të cilat përbëjnë forma të kontrollit incidental ndërmjet rendeve juridike kombëtare dhe atyre mbikombëtare, përkatësisht Konventa e GJEDNJ-së dhe e drejta e BE-së. Në këtë kuadër, protokolli 16 pas sjell krijimin e një dialogu dhe ndërveprimi ndërmjet gjykatave kombëtare dhe GJEDNJ, i cili ka avancuar në një nivel të ri bashkëpunimi, karakterizuar nga raporte të drejtpërdrejta mes tyre, themeluar mbi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Po kështu, rëndësi merr dhe njohja dhe adoptimi i vendimeve paragjykimore të GJED-së lidhur me zbatimin në mënyrë uniforme të të drejtës evropiane, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian si dhe atyre me statusin e kandidatit.

Në këtë konferencë u paraqitën prezantime edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, znj. Elena Gosheva, gjyqtarë të gjykatave kushtetuese të Portugalisë, të Turqisë dhe të Bullgarisë, si dhe përfaqësues institucionalë të vendit.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte