REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 21.06.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari e Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori është takuar ditën e enjte, 21.06.2018, me një delegacion nga Zyra e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, të përbërë nga zëvendës avokatët Zj. Majlinda Sinani Lulaj, Z. Mehdi Geci, Zj. Naile Ala, Zj. Edona Hajrullahu, Zj. Marija Radulovic, të cilët shoqëroheshin në këtë takim nga Zj. Erinda Ballanca, Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë.


Delegacioni kosovar është takuar me Kryetarin e Gjykatës së Lartë në kuadër të vizitës zyrtare dhe miqësore në Shqipëri. Në këtë takim u diskutua në lidhje me rolin e rëndësishëm që luan institucioni i Avokatit të Popullit në të dy vendet, duke e renditur atë ndër institucionet, të cilat kanë një ndikim të thellë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nga veprimet arbitrare të administratës publike.

Përfaqësuesit e avokatit të Popullit të Kosovës u shprehën se si rezultat i punës së tyre në mbrojtje të interesave të qytetarëve, ky organ është kthyer në një nga institucionet publike më të besueshme tek qytetaret e vendit të tij. Nga ky institucion, në Kosovë po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të arritur standardet e kërkuara ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut.

Sipas Z. Zaganjori, Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri ka marrë pozicionin që i takon, duke fituar kështu besimin, autoritetin dhe prestigjin e kërkuar tek publiku. Ai theksoi rëndësinë që ka respektimi i të drejtave të njeriut në një shtet demokratik dhe përpjekjet që po bën Shqipëria dhe gjyqësori në garantimin efektiv të këtyre të drejtave dhe arritjen e standardeve të parashikuara në konventat ndërkombëtare.


Gjatë takimit u shkëmbyen ide dhe eksperienca për mënyrën e trajtimit të rasteve që cenojnë të drejtat e njeriut, duke evidentuar dhe qasjet ligjore për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve ndaj veprimeve të padrejta kundër tyre.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte