• 1
    gjykata e larte
  • 2
    Salle gjyqi
  • 3
    Salla e mbledhjeve te gjyqtareve
  • 4
    Salla e kolegjeve te bashkuara

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 21.12.2021

NJOFTIM PËR MEDIAN

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin gjerman IRZ zhvilluan aktivitetin inagurues të një serie trajnimesh me temë “Roli, mënyrat dhe metodat e punës së qendrave të dokumentacionit në gjykatat e larta.”

Bashkëpunimi ndërkombëtar me Qendrën e Dokumentacionit të Gjykatës së Lartë, nisi me seminarin me temë: “Metodika dhe ushtrime praktike për përpilimin e normave juridike”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin: Z. Frank Hupfeld, Drejtor i Projektit për Evropën Juglindore II dhe Kaukazin Jugor; Z. Rainer Schliebs, Drejtor i Qendrës së Dokumentacionit në Gjykatën e Lartë Federale Gjermane; Z. Thomas Traar, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Bruck an der Mur (Austri); dhe Znj. Arta Vorpsi, Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Në fokus të këtij seminari ishte metodika e orientuar nga praktika për përpilimin e normave juridike. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi me prakticienët austriakë dhe gjermanë me eksperiencë ka si synim afatgjatë mbështetjen profesionale të përfaqësuesve të Qendrës së Dokumentacionit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, duke kontribuar në garantimin e një organizimi modern, efikas dhe transparent të Gjykatës. Punonjësit e Qendrës së Dokumentacionit, këshilltarët ligjorë dhe asistentë të tjerë ligjore u njohën me parimet e përgjithshme të punës së qendrës së dokumentacionit të Gjykatës së Lartë Federale Gjermane dhe Gjykatës së Lartë të Austrisë dhe analizuan vendimet përkatëse të tyre, në kuadër të përpilimit të normave juridike, ku në vijim pati disa ushtrime praktike dhe diskutime.

 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte