SHPALLJE

E PROCEDURËS SË THIRRJES PËR PARAQITJEN E KANDIDATURAVE PËR PLOTËSIMIN E VENDIT VAKANT TË INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbështetje të pikës 4 të nenit 147/d të Kushtetutës dhe të shkronjës “a” të pikës 2 të nenit 201 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, me qëllim plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të dërgimit në Kuvend, për ta zgjedhur atë, të një listë prej 5 kandidatësh, të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga ky Këshill sipas një procedure transparente dhe publike,

meqenëse në përfundim të procedurave të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore të kandidimit të realizuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për kandidaturat e paraqitura pas shpalljes publike të datës 01.03.2019 për plotësimin e këtij vendi vakant, rezulton që, nga 13 kandidatë të paraqitur për konkurrim, kanë mbetur vetëm 4 kandidatë që mund ti dërgohen për shqyrtim Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

shpall thirrjen për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe fton, çdo person të interesuar, që plotëson kushtet ligjore të kandidimit të parashikuara në nenin 147/d të Kushtetutës dhe në nenin 199 të ligjit nr. 115/2016, të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimi publik dhe të paraqesë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, shprehjen e vullnetit për të kandiduar në vendin vakant për “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”.

Së bashku me kërkesën me shkrim për shprehjen e interesit për kandidimin në vendin vakant për “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”, sipas parashikimeve të shkronjës “a” të pikës 2 të nenit 201 të ligjit nr. 115/2016, kandidati duhet të paraqesë:

- jetëshkrimin e përditësuar, përfshirë adresën postare dhe elektronike, si dhe numër telefoni;

- fotokopje të kartës së identitetit;

- deklaratë personale motivimi, ku shpjegon arsyen e kandidimit dhe objektivat që synon të ndjekë nëse emërohet;

- formularin e aplikimit të plotësuar dhe nënshkruar rregullisht “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Ky formular gjendet i publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, zëri “Formularë”;

- formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Ky formular gjendet i publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, zëri “Formularë”;

- deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk është bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret

- dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve të zgjedhshmërisë dhe kritereve të përzegjedhjes, të përcaktuara në nenin 147/d të Kushtetutës, nenin 199 dhe 240 të ligjit nr. 115/2016.

Lidhur me kushtet e zgjedhshmërisë dhe kriteret e përzgjedhjes, kandidatët e interesuar orientohen të mbajnë parasysh, në mënyrë të veçantë, dispozitat si më poshtë:

- Pika 3 e nenit 147/d të Kushtetutës :

3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje, nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.”

- Neni 199 i Ligjit nr. 115/2016 :

“Neni 199 Kushtet e emërimit

1. Inspektor i Lartë i Drejtësisë mund të zgjidhet shtetasi shqiptar, që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave”, ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit dhe të ketë marrë një diplomë të njësuar, sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuara me ligj;

c) ka jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist;

ç) nuk është dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale;

d) nuk është pushuar nga puna më parë për shkaqe disiplinore dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit;

dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;

e) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

ë) nuk është bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës.

2. Këshilli për Emërimet në Drejtësi i rendit kandidatët për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që përmbushin kushtet ligjore të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, në bazë të kritereve objektive të parashikuara në nenin 240 të këtij ligji.”

- Neni 240 i Ligjit nr. 115/2016 :

Neni 240 Kriteret profesionale dhe morale për renditjen e kandidatëve

1. Këshilli bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre profesionale bazuar në:

a) rezultatet e vlerësimit profesional dhe të etikës të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, ose rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën përkatëse që lidhet me veprimtarinë e institucionit për të cilën kandidon;

b) vlerësimin e rëndësisë së punimeve akademike, studimeve shkencore, shkrimeve dhe ligjëratave profesionale, botimeve, si dhe pjesëmarrjen në aktivitete shkencore, pjesëmarrjen në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional të kandidatit përgjatë 5 viteve të fundit në fushën e së drejtës;

c) rezultatet gjatë studimeve në ciklet e arsimit të lartë;

ç) ecurinë në punë dhe pjesëmarrjen në trajnimet profesional dhe në kurse të tjera të certifikuara brenda dhe jashtë vendit.

2. Këshilli bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre morale bazuar në:

a) reputacionin që gëzon kandidati në shoqëri dhe midis kolegëve;

b) cilësitë morale, të tilla si ndershmëria, përpikëria në ushtrimin e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve, përgjegjshmëria, besueshmëria, paanësia, dinjiteti dhe prirja për të marrë përsipër përgjegjësi;

c) angazhimi i provuar në ndjekje të kauzave të shoqërisë civile.

3. Këshilli bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre organizative, drejtuese dhe menaxheriale bazuar në:

a) cilësinë e platformës dhe të vizionit që paraqesin;

b) aftësitë e provuara për të marrë vendime dhe përgjegjësi bazuar në përvojat e mëparshme profesionale dhe shoqërore;

c) aftësitë e komunikimit;

ç) aftësitë e të punuarit në grup dhe në ambiente multidisiplinore ose multikulturore;

d) aftësitë e përfaqësimit publik.

4. Krahas kritereve të parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, në vlerësimin e kandidatëve mbahen parasysh edhe:

a) mbajtja e titujve akademikë;

b) kryerja e studimeve dhe trajnimeve afatgjata jashtë vendit;

c) njohja e gjuhëve të huaja.

5. Këshilli interviston kandidatët dhe angazhon ekspertë për verifikimin e aftësive të tyre, sidomos për të verifikuar nivelin e zotërimit të gjuhëve të huaja.

6. Në zbatim të dispozitave të këtij kreu, Këshilli miraton rregulla për detajimin e mëtejshëm të kritereve dhe për të përcaktuar peshën specifike të tyre në renditjen e kandidatëve .

7. Në marrjen e vendimeve për renditjen e kandidatëve Këshilli vepron sipas kritereve të parashikuara në pikat 1 deri në 5, të këtij neni, dhe harton një raport ku arsyeton këtë renditje.”.

- Neni 3/1 e vijues të ligjit nr. 9049/2003

Neni 3/1 Deklarimi i pasurisë për kandidatët për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë

1. Mbartin detyrimin për deklarimin e pasurisë dhe të interesave privatë:

a) kandidatët që shprehin interesin për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

b) kandidatët që shprehin interesin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe kandidatët jomagjistatë për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

c) kandidatët për pranim në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, si dhe i diplomuari që kandidon për t’u emëruar magjistrat, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ç) kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

d) kandidatët për prokuror, oficer hetimi, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe familjarët e afërm të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

dh) kandidatët, të cilët, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë ngritje në detyrë në shkallë më të larta ose të specializuara; e) kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ë) kandidatët për kryetarë të gjykatës ose prokurorive të tjera, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

f) çdo person tjetër që ka detyrimin të deklarojë para kandidimit, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Kandidatët për pozicionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, që janë subjekte që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave privatë, sipas parashikimeve të nenit 3, të këtij ligji, i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Nëse gjatë 180 ditëve para paraqitjes së kërkesës, kandidati është kontrolluar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe kontrolli nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer.

3. Inspektorati i Lartë kryen kontrollin e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratën e personave të përmendur në pikën 1, të këtij neni, brenda 2 muajve nga paraqitja e deklaratës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj. Në përfundim të verifikimit, Inspektori i Përgjithshëm u dërgon menjëherë institucioneve përkatëse raportin e verifikimit.”.

Kërkesa për shprehjen e interesit për kandidim, e shoqëruar me dokumentacionin mbështetës të sipërcituar, duhet të paraqitet brenda datës 20 Shtator 2019 dhe të dorëzohen në Gjykatën e Lartë, pranë zyrës së posaçme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, adresa “Rruga Ibrahim Rugova, Ndërtesa nr. 20, Kodi Postar 1001,Tiranë, Shqipëri”.

Katër kandidatët e deritanishëm për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, të cilët janë lejuar për kandidim me vendimet përkatëse të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vijojnë të jenë pjesë e konkurrimit për plotësimin e këtij vendi vakant.

Lista e kandidatëve që do të shprehin interesin për kandidim, do të publikohet në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte